30.
30. I mençuri dhe zemërimi.
01 - Transmeton Xhabir bin Abdilah radijAllahu ‘anhu se, një njeri erdhi tek Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, më mëso diçka me të cilën do të hyjë në Xhenet, por mos flis shumë gjatë në mënyrë që unë ta mbaj në mend.” Ai sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem i tha:
لا تغضب
“Mos u zemëro.”
02 - Njerëzit më të mençur dhe më të përgatiturit në përgjigjet e tyre janë ata që nuk zemërohen.
03 - Zemërimi i shpejtë është më i dëmshëm për të mençurin sesa zjarri për barin e thatë. Ngase, ai që zemërohet mençuria i largohet dhe thotë e vepron gjëra i ndikuar nga epshi.
04 - Vuhejb ka thënë: “Në Inxhil shkruan: “O biri i Ademit, më kujto Mua kur ti zemërohesh dhe Unë do të të kujtoj ty kur zemërohem Unë.”
05 - Zemërimi i shpejt është prej cilësive të budallenjve. Ndërsa mungesa e tij është prej cilësive të të mençurve.
06 - Zemërimi të bën që ti të veprosh vepra që nesër do të ndjesh keqardhje. Korrigjimi i gjërave është më i lehtë para zemërimit sesa pas.
07 - Bekkar bin Muhamed ka thënë: “Ibn ‘Aun nuk e kishte zakon të zemërohej. Nëse dikush e zemëronte atë, ai i thoshte atij: ‘Allahu të bekoftë’!”
08 - Ebu Se’id ka thënë: “Kur ‘Aun bin Abdilah bin ‘Utbeh zemërohej në ndonjë prej robërve të tij, e kishte zakon t’i thoshte: “Ti i përngjan shumë pronarit tënd (d.m.th. ‘Aunit)! Ti më kundërshton mua, dhe unë e kundërshtoj Allahun.” E nëse ndodhte që ta zemëronte edhe më shumë, thoshte: “Ti je i lirë për hir të Allahut” (d.m.th. nuk je më robi im).”
09 - Atëherë kur i mençuri sheh diçka që ai e urren, është i detyruar të mendoj se sa shpesh bën mëkate ndaj Zotit ndërsa Ai është i Butë me të! Atëherë zemërimi i tij do të kaloj dhe nuk do të bëj ndonjë veprim që nuk e bëjnë njerëzit e mençur. Përveç kësaj, do të ketë edhe shpërblim tek Allahu si rezultat i braktisjes së kësaj cilësie.
10 - Nëse dëmi i vetëm i zemërimit do të ishte se, njerëzit e mençur të zemëruarit nuk ia marrin fjalën, do të ishte e mjaftueshme për të që t’i shmanget zemërimit në çdo mënyrë të mundshme.
11 - Asnjë dijetarë nuk justifikon atë që lëshon gruan e vet ose atë që liron robin e Tij kur është i zemëruar. Kurse, në të njëjtën kohë, këta dijetarë e justifikojnë atë që ndahet nga gruaja e tij ose liron robin e tij si rezultati i gjendjes së dehur.
12 - Krijimtaria e njeriut është e përbërë nga zemërimi dhe butësia në të njëjtën kohë. Kushdo që zemërohet dhe bëhet i butë në të njëjtën vepër, nuk ka bërë asgjë të keqe përderisa zemërimi nuk e shtynë atë që të bëjë apo të thotë diçka të urryer. Megjithatë, është më e lavdërueshme të shmangurit zemërimin në çfarëdo gjendje.
13 - Abdul-Melik bin Mervani ka thënë: “Ai i cili nuk zemërohet nuk mund të jetë i butë sepse i butësia e njeriut vërehet vetëm atëherë kur ai zemërohet.”