Kopshti i të mençurve
Imam Muhamed bin Hiban el-Busti

14.



14. I mençuri dhe shakaja.

01 - Transmeton Katade, se Enes bin Malik ka thënë: “Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem kishte një shërbëtor me emrin Enxhesheh i cili kishte zë të bukur, dhe njëherë pre herësh, Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem i tha atij:

يا أنجشة لا تكسر القوارير

“O Enxhesheh! Mos i the shishet!”

Ndërsa Katade, në lidhje me këtë hadith ka thënë: “E kishte për qëllim grat e dobëta.” (Shih Sahihun e Muslimit (2323))

02 - I mençuri duhet t’i përfitoj njerëzit me shaka dhe duke lënë anash zemërimin.

03 - Ekzistojnë dy lloje të shakasë: e lavdërueshme dhe e qortueshme. Shakaja e lavdërueshme nuk ka të bëjë me atë që Allahu ‘Azze ue Xhel urren, si mëkatet apo shkëputja e lidhjeve farefisnore.

Shakaja e qortueshme është ajo që shkakton armiqësi, largon respektin, prishë miqësinë, bën që i dobëti (ai që nuk kontrollon veten në fjalë v.p.) të sulmojë dikë dhe që fisniku ta urrej atë.

04 - Rabi’ah ka thënë: “Unë ua tërheq vërejtjen ndaj shakasë, sepse ajo shkatërron dashurinë dhe e futë urrejtjen në brendinë e njeriut.”

05 - Ibn Hubejk ka thënë: “Thuhet se: nuk duhet bërë shaka me fisnikun, sepse ai do të të urrejë, e as me të dobëtin sepse ai do të të sulmojë.”

06 - Sa vëllezër janë ndarë për shkak të shakasë? Sa bashkëshortë i kanë prishur lidhjet e tyre po për shkak të saj?! E gjitha filloi me një shaka.

07 - El-Hakem ka thënë: “Ishte zakon të thuhej se as nuk duhet grindur e as nuk duhet bërë shaka me shokun tënd. Muxhahidi kishte një shokë i cili bënte shaka me të. Kjo përfundoi që të dy ia kthyen shpinën njëri-tjetrit dhe nuk shkëmbyen më shumë se sa selam me njëri-tjetrin derisa ai vdiq.”

08 - Ka shaka që shkakton grindje. Andaj, i mençuri është i obliguar t’i shmanget kësaj. Sepse, grindjet janë të dënueshme në çdo rast. Kur një person grindet (debaton) me dikë, kjo ose ndodhë mes tij dhe mes dikujt që është më i ditur se ai; – e si mund që njeriu të debatoj me dikë që ka dije më shumë se ai?! – Ose grindet (debaton) me një person që është më pakë i ditur se ai; – e si të debatoj me dikë, kur ai ka më pak dije?!

09 - Grindja është vëllai i urrejtjes, ashtu siç debati është motra e armiqësisë! Edhe nëse grindja ka dobi, dobia e saj është e vogël, ndërsa e keqja e saj është shumë më e  madhe. Grindjet shpien në sharje dhe shpifje, gjë e cila shpie në konflikt, dhe konflikti çon deri në derdhjen e gjakut. Kurrë nuk është grindur njëri me dikë tjetër, veçse grindja të mos ketë ndryshuar zemrat e tyre!

10 - Bilal bin Sa’di ka thënë: “Nëse sheh një person që i ndërhyn njerëzve në fjalë, grindet me ta dhe vetëm mendimet e tij i duket të drejta, dije se ai njeri veçse ka humbur.”

11 - Nëse shakaja ka të bëje me mëkatet ato e nxijnë fytyrën dhe bëjnë që zemra të rrjedh gjak. Ato përhapin urrejtje dhe i japin jetë armiqësisë. E nëse shakaja nuk është e qortueshme, atëherë ajo e ngushëllon të pikëlluarin, e përmirëson miqësinë, i jep jetë shpirtrave dhe largon turpin që duhet larguar. I mençuri bën shaka të këndshme, pa dashur të bezdis dikë apo të kënaq dikë duke dëmtuar dikë tjetër.

12 - Ibrahimi ka thënë: “Vetëm ai që të do bën shaka me ty.”

13 - Muhamed bin el-Munkedir ka thënë: “Nëna ime tha për mua kur isha i vogël: Mos bën shaka me fëmijët e tjerë në mënyrë që të mos humbësh vlerën në sytë e tyre, ose në mënyrë që ata të mos gjejnë arsye që të sulmojnë.”

14 - Umer bin Hatabi radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Ai që qesh shumë humbet respektin. Ai që bën shaka nuk do të merret kurrë si njeri serioz. Kushdo që e shpeshton një veprim të caktuar, njihet me të në mesin e njerëzve!”

15 - Ai që bën shaka me një person që nuk është në të njëjtin nivel me të, do të humbë vlerën në sytë e tij dhe pas një kohe ai do t’i vërsulet, edhe në qoftë se shakaja është plotësisht e drejtë. Është e lejuar të bësh shaka me njerëzit e nivelit tënd.

16 - Unë e urrej të bërit shaka kur njerëzit e rëndomtë janë të pranishëm. Gjithashtu, unë e urrej  mosbërjen shaka kur je me ata që janë të barabartë me ty.

17 - Ebu Abdirr-Rrahman Ebu el-A’raxh ka thënë: “Ibrahim bin Ed’ham na tregonte hadithe dhe bënte shaka me ne. Por menjëherë kur e shihte dikë që nuk ishte prej nesh, ai thoshte: Ai është spiun.”

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free