09.
09. I mençuri dhe heshtja.
01 - I Dërguari i Allahut sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem ka thënë:
من كان يؤمن بالله و اليوم الآخر فليقل خيرا أو ليسكت
“Kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.”
02 - Njeriu i mençur është i detyruar të luftojë me vetveten, derisa gjuha e tij të flasë vetëm atë që është e mirë. Gjuha e shpie personin në shkatërrim, ndërsa heshtja e shpie në dashuri dhe respekt. Ai që e ruan gjuhën, do të jetë i qetë. Më mirë është të pendohesh përse ke heshtur, se sa të pendohesh përse ke folur. Heshtja është pushim për trurin, ndërsa të folurit është shqetësim për të.
03 - Imam Malik bin Enesi ka thënë: “Çdo gjë që bëhet më tepër se sa që duhet, është e mirë/pozitive, me përjashtim të të folurit, i cili është i dëmshëm.”
04 - Ebu-Derda radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Nuk ka asgjë të mirë nga jeta e njeriut, përveçse nga jeta e dy personave: nga i heshturi që kupton dhe dijetari që flet.”
05 - Njeriu i mençur nuk duhet të mbizotërojë ndaj njerëzve kur ata flasin dhe nuk duhet të kundërshtojë. Edhe pse të folurit në kohën e duhur është paraqitja më e mirë, heshtja në kohën e duhur është një shkallë e lartë.
06 - Allahu ‘Azze ue Xhel e ka ngritur gjuhën mbi të gjitha pjesët tjera të trupit. Nuk ka asnjë gjymtyrë trupore që sjell më shumë shpërblim sesa ajo nëse është e bindur. Dhe nuk ka ndonjë gjymtyrë tjetër trupore që bën mëkat më të madh sesa ajo nëse është e pabindur.
07 - Fudajl bin Ijad ka thënë: “Dy gjëra e ngurtësojnë zemrën e njeriut: “Të folurit e shumtë dhe ushqimi i tepërt.”
08 - Sufjan eth-Theuri ka thënë: “Adhurimi fillon me heshtje, pastaj me kërkim të dijes, pastaj duke vepruar sipas këtyre mësimeve, pastaj nxënia përmendësh e pastaj duke i përhapur mësimet.”
09 - El-Ahnef bin Kajs ka thënë: “Heshtja e mbron njeriun nga fjalimi i shtrembër, fjalët e rreme, dhe të folurit e tepërt. Përveç kësaj, heshtja është shkak që të tjerët të të respektojnë.”
10 - Njeriu i mençur është i detyruar të heshtë, derisa të detyrohet të flasë. Sa shumë njerëz pendohen pse flasin dhe sa pak njerëz pendohen pse nuk kanë folur! Njeriu më i pafat dhe më i sprovuar, është ai i cili është sprovuar me të folurit e shumtë dhe ngurtësimin e zemrës.
11 - El-Ahnef bin Kajs tregon se Umer bin Hatabi radijAllahu ‘anhu ka thënë: “O Ahnef! Ai që flet shumë, bën gabime shumë. Ai që bën shumë gabime, e humb turpin. Ai që humb turpin, e humb frikën ndaj Allahut. Ai që humb frikën ndaj Allahut, i vdes zemra.”
12 - Ali bin Bekkar ka thënë: “Çdo gjëje Allahu i ka bërë dy dyer, përveç gjuhës që ia ka bërë katër dyer: dy buzët që luftojnë mes vete dhe dy palë dhëmbë që luftojnë mes vete.”
13 - Njeriu i mençur ka një bilanc mes të dëgjuarit dhe të folurit, bilanc i cili bazohet në atë se i janë dhënë dy vesh në mënyrë që të dëgjojë më shumë, ndërsa një gojë e vetme që të flasë më pak. Kur njeriu flet diçka, nesër mund të pendohet, e nuk do të pendohet (nuk ka nevojë që të pendohet) nëse qëndron i heshtur. Të kthehesh prapa për atë që nuk e ke folur (e ta flasësh), është më lehtë sesa të kthehesh prapa (të pendohesh) për atë që e ke folur. Nëse njeriu flet diçka, atëherë ai është peng i fjalës së vetë, e nëse nuk e flet ndonjë gjë, atëherë ajo fjalë është peng i tij. Është e çuditshme se si dikush flet diçka, e nëse atë e dëgjon ndonjëri, i bën dëm atij e nëse nuk dëgjohet, nuk i bën dëm. Prandaj, pse nuk hesht njeriu e të mos e thotë fare?! Ka mundësi që një fjalë e vetme të jetë shkaktare në pengimin e arritjes së ndonjë mirësie apo të të largohet ajo mirësi.
14 - Ebu Derda radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Mjafton të përpiqesh të bësh padrejtësi për të qenë zullumqarë. Mjafton të diskutosh pa nevojë për të qenë mëkatar. Dhe është e mjaftueshme të flasësh shumë për të qenë gënjeshtar, përveç atëherë kur ti flet në lidhje me Allahun Subhanehu ue Te‘Ala.”
15 - Ka’bul-ahbar ka thënë: “Mirëqenia e njeriut përbëhet prej dhjetë pjesëve, nëntë prej tyre janë tek heshtje.”
16 - El-Euzai ka thënë: “Askush nuk është vënë në sprovë më të madhe në fe se sa personi që flet shumë.”
17 - Halid bin el-Harith ka thënë: “Heshtja është zbukurimi i të mençurit dhe shëmtimi i injorantit.”
18 - Nëse në heshtjen nuk do të kishte asnjë veçori të mirë përveç zbukurimit të të mençurit dhe shëmtimit të injorantit, do të ishte e detyrueshme për njeriun që të heshtë sa më shumë. Kushdo që dëshiron të shpëtojë, le ta flasë vetëm atë që pranohet prej tij, të jetë kjo në masë të reduktuar, sepse nuk ka guxim të flasë shumë, përveç budallai dhe ai që është më i miri në të gjitha fushat.
19 - Shumë prej dijetarëve nuk kanë transmetuar hadithe nga njerëzit të cilët flisnin shumë çfarë nuk u takonte. Një shembull i tillë është fjala e Se’idit ku thotë: “E kam pyetur Hakamin se pse ai nuk ka shkruar (nuk ka marrë dije) nga Zadhani. Ai u përgjigj: “Sepse ai flet shumë.”
20 - Gjuha e të mençurit fshihet pas zemrës së tij. Kur ai dëshiron të flasë, i kthehet zemrës. Nëse se është në të mirën e tij, flet, përndryshe hesht. Zemra e injorantit është në majën e gjuhës së tij, çfarë i vjen tek gjuha e tij, ai e thotë. Ai që nuk e ruan gjuhën e tij, ai nuk e kupton fenë e Allahut.
21 - Si do që të jetë gjuha e njeriut, e mirë apo e keqe, kjo shfaqet në të gjitha gjymtyrët e tij.
22 - Jahja bin Ebi Kethir ka thënë: “Nuk ka mundësi që të folurit e njeriut të jetë i mirë, e të mos shfaqet kjo edhe në veprimet e tij.”
23 - I mençuri nuk flet përderisa nuk pyetet dhe flet vetëm me atë i cii e pranon fjalën e tij. Nëse dikush e shpif apo e fyen, ai nuk i kundërpërgjigjet në asnjë formë. Edhe pse heshtja që nga fillimi është gjëja më e mirë, por padyshim se heshtja është e mirë edhe atëherë kur flitet (për të) diçka e keqe.
24 - Ibn Mesudi radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Betohem në Allahun e Vetëm, se asgjë nuk meriton të burgoset aq gjatë sesa gjuha.”
25 - I mençuri e ruan veten e tij në mënyrë që të mos bie në mangësi. Prej mangësive që më së shumti e shkatërron shëndetin e brendshëm dhe shpirtin e tij të mirë, është fjala e tepërt. Kjo vlen edhe nëse është i lejuar të folurit e shumtë. Njeriu nuk mund të qëndrojë i heshtur nëse nuk largohet nga të folurit e lejuar.
26 - Ibrahim et-Tejmi ka thënë: “Një person i cili shoqërohej me er-Rabi’ bin Hajthem për njëzet vjet, më tha se ai kurrë nuk e kishte dëgjuar atë të thoshte diçka që është e qortueshme.”
27 - I mençuri duhet të mos flasë shumë fjalë që janë të lejuara, në mënyrë që ai të mos bie në ndalesa, e nga kjo ta shkatërrojë vetveten.
28 - Nëse njeriu flet shumë, mosbindja do t’i hyjë në gjak, ngase nëse robi nuk e flet atë që i sjell dobi në jetën tjetër, për të është më mirë që të mos flasë asgjë.
29 - Muvarrik el-‘Ixhli ka thënë: “Ka një gjë që po e kërkoj që njëzet vjet dhe që do vazhdoj ta kërkoj ende.” E pyetën: “Çfarë është ajo që po e kërkon?” Ai tha: “Që të heshti në lidhje me atë që nuk më përket mua.”
30 - Kharixheh ka thënë: “Jam shoqëruar me Abdullah bin ‘Aun për pesëmbëdhjetë vite dhe nuk mendoj se engjëjt shkruan diçka të keqe prej tij.”