Kopshti i të mençurve
Imam Muhamed bin Hiban el-Busti

02.



02. I mençuri dhe sinqeriteti. 

01 - Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem ka thënë:

عليكم بالصدق ، فإن الصدق يهدي إلى البر ، و إن البر يهدي إلى الجنة ، و إن الرجل ليصدق حتى يكتب عند الله صديقا ، و إياكم و الكذب ، فإن الكذب يهدي إلى الفجور ، و إن الفجور يهدي إلى النار ، و إن الرجل ليكذب حتى يكتب عند الله كذابا

“Bëhuni të sinqertë, sepse sinqeriteti të shpie në drejtësi dhe drejtësia shpie në Xhenet. Në vazhdimësi njeriu promovon sinqeritetin derisa të shkruhet si i sinqertë tek Allahu. Ndërsa, largohuni nga gënjeshtra, sepse gënjeshtra të shpie në mëkat dhe mëkati të shpie në Zjarr. Në vazhdimësi njeriu gënjen derisa të shkruhet si gënjeshtar tek Allahu.”

02 - Allahu Xhela ue ‘Ala ka nderuar gjuhën mbi të gjitha gjymtyrët e tjera të trupit. E ka ngritur atë në shkallën më të lartë, duke e bërë të qartë këtë ndershmëri, ngase i ka dhënë asaj mundësinë që të flasë dhe të shprehë Teuhidin ndryshe nga gjymtyrët e tjera trupore. Prandaj, njeriu nuk duhet që këtë gjymtyrë ta mësojë në gënjeshtër, por gjithmonë ta flasë të vërtetën dhe të thotë atë që i sjell dobi në të dy jetët, sepse gjuha kërkon atë që ajo vepron zakonisht: Në qoftë se është mësuar me të vërtetën, ajo do ta flasë të vërtetën e në qoftë se është mësuar me gënjeshtrën, ajo vetëm do të gënjejë.

03 - Ismail bin Ubejdilah ka thënë: “Abdul-Melik bin Mervani më tha: “Mësoja bijve të mi sinqeritetin ashtu siç ia mëson atyre Kuranin. Mbaj ata larg nga gënjeshtra, edhe nëse u rrezikohet jeta.”

04 - Ali el-Behdelij ka thënë: “Kam qenë me Ibn Umerin radijAllahu ‘anhu kur një irakian i tha atij: “Ti bir i mynafikut!” Ibn Umeri i tha atij: “Mjerë për ty! Mynafiku kur flet, gënjen, e thyen premtimin kur premton dhe nuk e kryen punën që i është besuar.”

05 - Fudajl ​​bin ‘Ijadh ka thënë: “Asnjë pjesë mishi nuk është më e dashur tek Allahu sesa gjuha e sinqertë. Dhe nuk ka asnjë pjesë mishi që urrehet më shumë nga Allahu sesa gjuha gënjeshtare.”

06 - Çdo gjë me të cilën zbukurohet njeriu, është e lehtë ta gjesh e ta huazosh, përveç gjuhës e cila nuk shpreh diçka përveç asaj me të cilën është mësuar. Sinqeriteti e shpëton njeriun, ndërsa gënjeshtra e shkatërron atë. Ai që kontrollon gjuhën, do të zgjidhet udhëheqës i popullit të tij. Ndërsa, ai që gënjen shumë, nuk të le hapësirë që t’i besosh për asgjë. Nuk ka mundësi të gënjejë njeriu, derisa mos ta konsiderojë gënjeshtrën si diçka të letë/normale.

07 - Muhamed bin Ka’b el-Kuradhi ka thënë: “Gënjeshtari gënjen sepse e sheh veten e tij të pa vlerë.”

08 - Nëse dëmi i vetëm i gënjeshtrës do të ishte që mos të konsiderohesh i sinqertë, të folurit e së vërtetës është e mjaftueshme që të jetë obligim. Ndërsa, nga pasojat e gënjeshtrës është se gënjeshtari harron. Dhe kur njeriu është i tillë, kjo i shëmbëllen sikurse atij i cili në vazhdimësi thërret në poshtërim ndaj vetvetes.

09 - Nasr bin Ali el-Xhehdamij ka thënë: “Allahu na ka ndihmuar neve kundër gënjeshtarëve, duke bërë që ata të harrojnë.”

10 - Ez-Zuhri ka thënë: “Po ta kishe parë Tavusin, menjëherë do ta kishe kuptuar se ai nuk gënjen kurrë.”

11 - Gjuha është një kafshë grabitqare. Nëse e frenon atë, shpëton e nëse e lë atë të lirë, ajo e kafshon edhe pronarin e saj. Gënjeshtari zbulohet përmes gjuhës së tij. I mençuri nuk futet në diçka për të cilën nuk ka dije, por akuzohet për dijen që ai e ka, sepse gënjeshtra është prijësi në mëkate. Gënjeshtra tregon anët e këqija dhe fsheh anët e mira të njeriut. Nuk është e lejuar që të përhapësh diçka menjëherë pasi ta dëgjosh atë, ngase ai që përhap gjithçka që dëgjon, nënçmon idetë e veta dhe shkatërron besimin që njerëzit e kanë ndaj tij.

12 - Ibn Mesudi radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Është e mjaftueshme që besimtari të bie në gënjeshtër, nëse ai flet gjithçka që dëgjon.”

13 - Isa bin Merjem alejhis-selam ka thënë: “E përgëzoj atë që e ruan gjuhën e tij, e zgjeron shtëpinë e tij dhe qan për gabimet e veta.”

14 - Sinqeriteti, në të dy botët, e ngrit personin, ndërsa gënjeshtra e ulë atë në të dy botët. Nëse sinqeriteti nuk do të ishte tipar i mirë/i lavdërueshëm, përveçse kur njeriu të njihet me këtë cilësi (sinqeritetin) do të pranohej edhe gënjeshtra e tij e do të konsiderohej e vërtetë, do të ishte e detyrueshme për të mençurin që ta mësojë gjuhën e tij të flasë vetëm të vërtetën dhe t’i shmanget gënjeshtrës. Ndonjëherë heshtja është më e mirë sesa të folurit, sepse çdo herë që gabon kur të flasësh, aty vendin e ka pasur heshtja.

15 - Umer bin Hatabi radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Nuk do ta shijojë robi besimin e vërtetë përderisa nuk i braktis grindjet edhe nëse ai ka të drejtë dhe përderisa gënjen kur ai bën shaka edhe nëse është i sigurt se do t’i bëjë njerëzit të qeshin.”

16 - Abdullah bin ‘Amri radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Largohu nga ajo e cila s’është në interesin tënd, mos flit për atë që nuk ka të bëjë me ty dhe ruaje gjuhën tënde ashtusiç i ruan parat tua.”

17 - I mençuri nuk mund të jetë i tolerueshëm me gjuhën e tij. Ai që flet shumë, bën gabime të shumta. Ndërsa, gabimet tuaja mund të reflektojnë edhe tek të tjerët. Në këtë mënyrë, bën veprime të cilat sjellin rezultate të pariparueshme.

18 - Plagët e gjuhës nuk shërohen kurrë dhe ajo që prehet me anë të gjuhës nuk kthehet asnjëherë në vendin e saj. Kur fjala lëndon zemrën, ajo nuk mund të shërohet për një kohë të gjatë dhe kjo arrihet vetëm pas një trajtimi intensiv.

19 - Ka njerëz të cilët nderohen vetëm për shkak të kujdesit që kanë në të folur dhe ka të tillë që poshtërohen vetëm për shkak të moskujdesit në të folur. Ndërsa, i mençuri nuk mund të jetë me të poshtëruarit.

20 - Ibn Sirin ka thënë: “Fjalët e tepërta peshojnë më rënd sesa gënjeshtra e komikut.”



 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free