03.
03. Fjalë të arta rreth mençurisë dhe të mençurve.
01 - Ebu Hatim ka thënë: “Nuk di asnjë hadith autentik nga Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem në lidhje me mençurin, ngase ata të cilët kanë transmetuar në lidhje me këtë, fjalët e tyre nuk merren (v.p.: dijetari përmend një numër transmetuesish të të cilëve nuk u merret hadithi).”
02 - Është mençuri dashuria e njeriut ndaj moralit të mirë dhe urrejtja ndaj të këqijave.
03 - Me mençuri arrihet lumturia, largohet monotonia e vetmisë dhe ikën varfëria. Nuk ka asnjë pasuri më të vlefshme sesa ajo; nuk plotësohet feja e njeriut pa mençuri.
04 - Habib el-Xhal-lab ka thënë: “Është pyetur Ibnul-Mubarak për gjënë më të mirë që i është dhënë njeriut, ai tha: “Mençuria e thellë.” Pastaj i thanë: “Në qoftë se nuk e ka këtë?” Ai tha: “Sjellja e mirë.” Pastaj i thanë: “Nëse ai nuk ka këtë?” Ai tha: “Vëllai i cili e udhëzon në rrugë të drejtë.” Pastaj i thanë: “E nëse nuk e ka këtë?” Ai tha: “Heshtja e gjatë.” Pastaj i thanë: “Në qoftë se ai nuk e ka as këtë?” Ai tha: “Vdekja e shpejtë.”
05 - Mençuria është dy llojesh: E natyrshme dhe e fituar. Mençuria e natyrshme është si toka, e ajo e fituar është si uji. Me mençurinë e natyrshme, njeriu nuk mund të arrijë deri tek zgjedhja dhe veprimi i duhur nëse nuk posedon edhe mençurinë e fituar, ngase kjo e fundit e drejton dhe e përgatit të natyrshmen nga mos të rënit në mëkate. Mençuria e natyrshme tek njeriu është sikurse degët e një peme, kurse mençuria e fituar është ushqimi i frutave të saj.
06 - I mençuri është i detyruar ta ushqejë mençurinë e tij me urtësi (dije) më shumë sesa që e ushqen trupin e tij me ushqim. Ushqimi i trupit është të ngrënit, kurse ushqimi i mençurisë është urtësia. Ashtu siç trupi vdes pa ngrënë e pa pirë, po ashtu edhe mençuria vdes nëse nuk ushqehet me dije.
07 - Të udhëtosh nëpër vende të ndryshme dhe të përfitosh nga njerëzit, kjo bën që njeriu të fitojë dije dhe mençuri , edhe nëse paratë do të harxhohen gjatë udhëtimit.
08 - Mençuria është ilaçi i zemrës, është bartëse e atyre që janë të përkushtuar në arritjen e saj, është gjëja përmes së cilës fitohet ahireti, është kurorë e besimtarit në këtë botë dhe armë në fatkeqësi. Kurse atij që i mungon mençuria, nuk do t’i jepet lavdi, e pasuria nuk do t’ia ngritë statusin shoqërorë. Nuk është i mençur ai i cili jepet pas kënaqësive të kësaj bote përpara ahiretit. Ashtu siç injoranca është sëmundja më e rëndë, ashtu edhe mungesa e mençurisë është varfëria më e rëndë.
09 - Mençuria dhe teket e njeriut janë dy të kundërta. Prandaj, është e obligueshme që ta zgjerosh dijen dhe përmes saj të ruhesh nga teket e epshet. Në qoftë se nuk e dallon njërën nga tjetra, atëherë duhet zgjedhur atë që është më së largëti nga teket dhe epshi juaja, ngase sa më larg që qëndron ndaj kësaj, ti do të përmirësosh brendinë tënde. Mençuria me dije të shëndoshë e përmirëson njeriun.
10 - I mençuri nuk duhet të bie në depresion, ngase kjo nuk i sjell asnjë dobi. Depresioni pakëson mençurin, kurse i mençuri nuk duhet të pikëllohet. Pikëllimi vjen si rezultat i brengave, kurse brengat e vazhdueshme pakësojnë mençurinë.
11 - Me mençuri forcohet zemra, me dituri ëndrrat bëhen realitet. Shtylla e lumturisë është mendja e shëndoshë, kurse mençuria del në pah atëherë kur njeriu duhet të bëjë zgjidhjen.