Kopshti i të mençurve
Imam Muhamed bin Hiban el-Busti

29.



29. I mençuri dhe xhelozia.

01 - Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem ka thënë:

لا تباغضوا ولا تحاسدوا ولا تدابروا وكونوا عباد الله إخوانا

“Mos e urreni njëri-tjetrin, mos keni zili njëri-tjetrin dhe mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, por bëhuni robër të Allahut, vëllezër të vërtetë.”

02 - I mençuri është i obliguar që gjithnjë të qëndrojnë larg të gjitha llojeve të xhelozisë. Shenja më e vogël e xhelozisë është që njeriu të mos jetë kënaqur me caktimin e Allahut, ai dëshiron të kundërtën e asaj që Allahu ka vendosur për të dhe pastaj dëshirën që tjetri të humb dhuntinë e Tij.

03 - Shpirti dhe mendja e ziliqarit nuk rehatohen derisa ta sheh vëllanë e tij t’i ketë humbur dhuntitë që Allahu ia ka dhënë.

04 - Umer bin Hatabi radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Nuk ka asnjë njeri të cilin Allahu e ka veçuar me ndonjë dhunti shtesë ndaj të tjerëve, veçse ka edhe një njeri që ia ka zili për atë.”

05 - Muhamed bin Sirin ka thënë: “Kurrë nuk kam pasur dikë zili për diçka të kësaj bote. Si mund ta kem atë zili (për ndonjë gjë të kësaj bote) kur ai është rrugës për në Xhenet (është i devotshëm (v.p.))?! Apo, si ta kem mëkatarin zili për diçka, kur ai është rrugës për në Zjarr të Xhehenemit?!”

06 - Xhelozia është cilësi e të mallkuarve, ndërsa mungesa e saj është cilësi e njerëzve të ndershëm. Çdo gjë që digjet mund të shuhet, me përjashtim të zjarrit të zilisë i cili nuk shuhet.

07 - Nga xhelozia lind urrejtja, ndërsa urrejtja është thelbi i së keqes. Kush mbjell të keqën në zemrën e tij, padyshim se nga ajo do të mbijë një bimë e hidhur. Trungu i saj është urrejtja, kurse fryti i saj është pendimi.

08 - Xhelozia do të thotë që të dëshirosh që vëllai yt ta humbet dhuntinë që i është dhënë për ta zotëruar vetë atë. Kurse ai i cili dëshiron që edhe ai ta ketë të njëjtën dhunti sikurse të vëllait të vet pa e humbur atë vëllai i tij, kjo nuk është xhelozia e keqe nga e cila jemi ndaluar.

09 - Ndoshta nuk do të ekzistonte aspak xhelozia, por ja që Allahu i ka veçuar disa njerëz me dhunti shumë më specifike se disa të tjerë. Aq më më të mëdha dhe të shumta të jenë dhuntitë e Allahut ndaj njeriut, edhe më shumë do të shtoheshin xhelozët ndaj tij.

10 - Muhamed bin Sirin ka thënë: “Kurrë nuk kam pasur zili dikë, qoftë në çështje të fesë apo të dynjasë.”

11 - Nuk ka shpëtim më të mirë nga ai që të xhelozon, sesa të qëndrosh larg tij. Përderisa ai i sheh dhuntitë tuaja që t’i ka dhënë ty Allahu, në vazhdimësi do të ndjehet i parehatshëm në lidhje me këtë, do të ketë mendim të keq për Allahun dhe zilia e tij ndaj teje vetëm se do të shtohet edhe më shumë.

12 - I mençuri duhet të sigurohet që ta largoj xhelozinë për njerëzit sa më shpejt që mundet. Ilaçi më i mirë kundër shërimit nga kjo sëmundje, është qëndrimi larg atij që ti po e xhelozon. Nuk të xhelozon askush për shkak të ndonjë të mete që ti ke apo për shkak të të këqijave që ti i posedon, por xhelozia vije si rezultat që njeriu nuk është i kënaqur me caktimin e Allahut për të.

13 - Hammad bin Humejd i tha Hasan el-Basriut: “O Ebu Se’id, a mund të ketë zili dikë besimtari?” Ai u përgjigj: “Sa shpejt harrove bijtë e Ja’kubit alejhis-selam kur ata kishin zili Jusufin alejhis-selam! Por fshihe xhelozinë në gjoksin tënd. Ajo nuk do të dëmtojë përderisa nuk flet apo vepron diçka si rezultat i saj.”

14 - Po t’i vije në mend të mençurit që ta ketë zili vëllanë e tij, ai lufton për ta fshehur atë që ka dhe nuk e shfaq atë që ka brenda.

15 - Zakonisht xhelozia gjendet në mesin e atyre që janë të barabartë ose përafërsisht të njëjtë. Nuk ka njeri i cili arrin diçka në këtë jetë, veçse ekziston dikush që e urren atë apo e ka zili për këtë që ka arritur.

16 - Njeriu xheloz është armik i pazbërthyeshëm. I mençuri nuk duhet të lejojë xhelozin që të gjykojë në qoftë se ndodhë diçka. Ngase, nëse ai gjykon, do të gjykojë vetëm në dëm të rivalit të tij. Nëse i kërkohet të ndaj drejtësinë, atë do ta ndaj në dëm të atij që e xhelozon. Nëse do të privojë dikë nga diçka, e privon vetëm rivalin e tij apo në dëm të tij (që e xhelozon). E gjithë kjo, me të vetmen arsye sepse rivali i tij ka diçka për të cilën ai e ka zili. Andaj, njeriu duhet të ketë kujdes nga njerëzit që kanë cilësi të tilla. Ata mund të jenë shumë të afërt me të, kolegë, fqinjë e kushërinj.

17 - El-‘Abbas bin Bekkar ka thënë: “Një njeri i tha Shubejb bin Shebbas: Me të vërtetë unë të dua ty.” Shubejbi i tha atij: “E di këtë.” Ai i tha: “Si e di ti këtë?” Ai u përgjigj: “Sepse ti nuk je fqinji im e as kushëri im.”

18 - Sa shenjë e keqe që është xhelozia! Ajo e shpie njeriun në pikëllim e mjerim. Ajo është sëmundje që nuk ka shërim.

19 - Kur e sheh xhelozi dhuntinë që i është dhënë vëllait të tij, shtanget. Kur e sheh vëllanë e tij të bëjë ndonjë gabim, gëzohet. Fytyra e tij dëshmon qartë atë që ka në zemrën e tij. Nuk kam parë ndonjë njeri që është xheloz në dikë, të sillet mirë me njerëzit.

20 - Xhelozia thërret në mjerim. Kujtoje ngjarjen e Ademit alejhis-selam me Iblisin,kur ky i fundit e pati zili atë, dhe zilia që ai pati i solli atij mjerimin e përjetshëm. Zilia ishte shkaku që ai u mallkua pasi që i ishte dhënë pozitë e lartë.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free