15.
15. I mençuri dhe të shmangurit prej njerëzve.
01 - Detyrë e të mençurit është që t’i shmanget njerëzve në përgjithësi dhe të qëndrojnë larg nga të ndenjurit shumë me ta. Nëse përfitimi i vetëm në këtë do të ishte mos-bërja mëkate, do të ishte e mjaftueshme për të që të mos e njollos gjendjen e tij të shëndosh me diçka që shpie në zënka.
02 - Umer bin el-Hatab ka thënë: “Merreni si pjesë të rëndësishme (të jetës suaj) mos-përzierjen me njerëz.”
03 - Sufjan bin ‘Ujejneh ka thënë: “Kam parë në ëndërr Sufjan eth-Theurin dhe se unë i thash atij: “Më këshillo ndonjë gjë.” Ndërsa ai më tha: “Ke kujdes nga njohja me shumë njerëz. Ke kujdes nga njohja me shumë njerëz. Ke kujdes nga njohja me shumë njerëz”.”
04 - Ahmed bin Hanbeli ka thënë: “E pashë se si Ibnus-Sammak i shkroi letër njërit prej vëllezërve të tij: “Po pate mundësi, bëhu vetëm rob i Allahut dhe mos bë asgjë tjetër (largohu nga njerëzit sa më shumë v.p.).”
05 - I mençuri nuk duhet të robëroj veten duke ndenjur me njerëzit e nivelit të tij, duke luftuar për të drejtat e tyre dhe duke i duruar dëmet e mundshme që ata i shkaktojnë. E gjithë kjo, nëse ai ka mundësi ta bëj këtë. Ngase, mos-përzierja me njerëzit e pastron zemrën dhe do ta ruaj kohën e adhurimit nuk do t’i kaloj së koti. Kështu vepruan të parët tanë të mirë dhe të mëvonshmit prej tyre.
06 - Ibnul-Mubarak ka thënë: “Një herë prej herësh, Fudajli e vizitoi Davud et-Taiun, por Davudi e mbylli derën. Pastaj Fudajli u ul jashtë shtëpisë dhe filloi të qante, ndërsa Davudi ishte ulur brenda në shtëpi dhe qante.”
07 - Bekr Muhamed el-‘Abid ka thënë: “Davud et-Taiu më tha mua: “O Bekr! Qëndro larg nga njerëzit ashtu siç qëndron larg nga kafsha e egër grabitqare”.”
08 - Abdul-‘Aziz bin Hattab ka thënë: “Disa njerëz panë se një qen i madh i zi ishte shtrirë pranë Malik bin Dinarit, andaj i thanë atij: “O Ebu Jahja! A nuk po e sheh qenin afër teje?” Ai u përgjigj: “Ky është më i mirë se një shoqëri e keqe.”
09 - Kur dijetarët si Davud et-Taij qëndruan larg prej njerëzve të veçantë – e cila tregon se ata u shmangën edhe njerëzve të thjeshtë -, ata e bënë këtë në mënyrë që të ushtrojnë vetveten që të jenë në gjendje t’i përballojnë vetmisë. Kam frikë se ai i cili nuk braktis atë që është e lejuar do të bie në të ndaluarën. Lidhur me shkakun e kërkon të shmangurit nga të gjithë njerëzit, kjo ndodh kur nuk ka ndonjë të mirë në ta dhe e keqja është e përhapur në mesin e njerëzve. Sepse njerëzit në përgjithësi janë kurioz/e duan të mirën, ndërsa e shfaqin gjithnjë të keqën! Nëse ai është dijetar ata thonë se ai është bidatçi. Nëse ai është i pa ditur ata e fyejnë atë. Nëse ai është më i lartë se ata, ata e kanë zili atë. Nëse ai është nën ta ata e poshtërojnë atë. Nëse ai flet ata thonë se ai po dërdëllit. Nëse ai hesht ata thonë se ai është budalla. Nëse ai është kursimtar ata thonë se ai është koprrac. Nëse ai është bujar ata thonë se ai është shpenzues i pakujdesshëm. Ai i cili e lejon veten e vet që të mashtrohet nga këta njerëz, në fund do të pendohet , apo do të bie në rangun e tyre!
10 - El-Ekkaf Hafs bin Humejd ka thënë: “Jam shoqëruar me njerëz për pesëdhjetë vite radhazi, dhe ajo që pashë ishte se, askush nuk fshehu ndonjë nga të metat e mia, askush nuk u mundua të më pajtoj me dikë që unë i kisha ndërprerë lidhjet dhe nuk ndjehesha i sigurt ndaj atyre kur ata zemëroheshin. Andaj, të kalosh kohën me njerëz të tillë, është budallallëk i madh!”
11 - Malik bin Enes ka thënë: “Më kanë treguar se Ebu Dherri radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Në të kaluarën njerëzit ishin gjethe pa gjemba. Sot janë gjemba pa gjethe”!”
12 - I mençuri e di se karakteret/sjelljet e njerëzve janë të ndryshme. Pothuajse të gjithë dëshirojnë ndihmesën dhe askush nuk dëshiron të lihet mënjanë. Kur të shohësh diçka të pazakontë tek vëllai yt fillon ta mos e duash atë. Kur të sheh diçka të pazakontë mërzitesh nga ai. Kur të mërzitesh nga ai fillon ta konsiderosh atë të bezdisshëm. Kur ta konsiderosh atë të bezdisshëm, atëherë fillon urrejtja. Kur urrejtja vije, së bashku me të vjen edhe armiqësia. Është budallallëk i madh që i mençuri të kaloj kohen me një njeri të tillë.
13 - Mekhuli ka thënë: “Nëse të shoqëruarit me njerëz është i mirë, dije se edhe më e shëndetshme është të shmangesh prej tyre.”
14 - Malik bin Dinar ka thënë: “Ai i cili nuk është i rehatshëm me fjalën e Allahut dhe pos kësaj ka nevojë për fjalët e njerëzve, atëherë dije se ai njeri ka pak dije, ka zemër të verbër dhe një jetë së koti!”
15 - Ibrahim el-Harbi ka thënë: “Një mbrëmje, pas akshamit, unë shkova në Xhaminë e Shenjtë dhe pash Fudajl bin ‘Ijadin ulur aty, dhe kështu shkova dhe u ula me të.” Ai më tha: “Kush është aty?” Unë thashë: “Ibrahimi.” Ai tha: “Pse ke ardhur këtu?” Unë u përgjigja: “Unë të pashë të vetmuar, prandaj erdha tek ti.” Ai tha: “A dëshiron të shpifësh, të zbukurohesh apo që të shohin njerëzit?” Unë i thashë: “Jo.” Ai tha: “Andaj, largohu prej meje.”