27.
27. I mençuri dhe spiunimi (gjurmimi i gabimeve të njerëzve)
01 - Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem ka thënë:
إياكم والظن، فإن الظن أكذب الحديث، ولا تجسسوا، ولا تحسسوا، ولا تباغضوا، وكونوا عباد الله إخوانا
“Largohuni nga paragjykimi (dhe hamendësimi), sepse paragjykimi është thënia më e gënjeshtërt. Mos spiunoni, mos gjurmoni dhe mos urreni njëri-tjetrin, por jini robër të Allahut dhe vëllezër.”
02 - Hasan el-Basriu ka thënë: “Mos pyet për veprat e mira dhe të këqija të vëllait tënd, ngase kjo është spiunim.”
03 - I mençuri e ka për detyrë që të ketë zemër të pastër duke mos gjurmuar për gabimet e njerëzve, por në vend kësaj duhet të preokupohet me gabimet dhe mangësitë e tij.
Ai që merret me mangësitë e tij dhe jo me ato të tjerëve, do ta pushoj trupin dhe nuk do të lodhë zemrën. Sa herë që ai i kupton gabimet e veta, i konsideron ato më të lehta gabimet sesa gabimet e njëjta të vëllait të tij. Mirëpo, nëse njeriu merret me gabimet e të tjerëve në vend të gabimeve të tij, do t’i verbohet zemra dhe do t’i lodhet trupi; gjë e cila ia pamundëson atij largimin e gabimeve të veta.
04 - Esh-Shejbani ka thënë: “Në shkrimet e mëparshme thuhet: ‘Atë që mbjell do ta korrësh’.”
05 - Kërkimi i mangësive të të tjerëve është prej llojeve të hipokrizisë, kurse mendimi i mirë për tjetrin është pjesë e besimit. I mençuri mendon më të mirën për të tjerët, ndërsa telashet dhe pikëllimet i mban për veten e vet. Injoranti ka mendim të keq për njerëzit dhe nuk mendon fare për telashet dhe mëkatet e veta.
06 - Mendimi i keq mund ndahet në dy lloje:
A - I ndaluar: Atëherë kur njeriu ka mendim të keq për myslimanët në përgjithësi.
B - I rekomanduar: Atëherë kur njeriu ka mendim të keq në lidhje me atë që, -për shembull, ka një grindje në çështjet fetare apo të kësaj bote, gjë e cila të bën që të kesh frikë prej tij. Në këtë rast është e rekomandueshme për të pasur mendim të keq për të që të ruhesh prej kurthave të tij.
07 - Abdullah bin ‘Amr bin ‘As radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Në Teurat thuhet: ‘Ai që bën tregti ka shumë mundësi që të bëhet njeri i prishur. Ndërsa ai që ia bën gropën shokut të tij, do të bie vetë në të’.”
08 - I mençuri e ka për detyrë që të mos ketë moralin dhe veprat e njerëzve të thjeshtë, prandaj nuk duhet të gjurmoj gabimet e njerëzve. Ai që gjurmon gabimet e të tjerëve, në realitet i përhap gabimet e veta. Ka mundësi që, gjurmimi për gabimet e të tjerëve është shkak që gabimet e tij të përhapen.
Prandaj, si ka mundësi që myslimani të kritikoj vëllanë e tij për gabime të cilat edhe vetë bie në to?!