Kopshti i të mençurve
Imam Muhamed bin Hiban el-Busti

08.



08. Të mësuarit dhe i mençuri.

01 - Kur i mençuri mbaron me korrigjimin e së brendshmes së tij, ai obligohet që vazhdimisht të kërkojë dituri. Nuk është e mundur për të arritur diçka në mënyrë të pastër pa dituri të thellë rreth asaj që kërkon. I mençuri nuk duhet të qëndrojë larg nga ajo gjë (dija), e cila bën që engjëjt t’i shtrijnë krahët e tyre mbi të.

02 - Nuk është e hijshme që gjatë jetës të kërkojë afërsinë ndaj pushtetarëve apo të ketë motive të tjera të kësaj bote. Ah, sa e shëmtuar është që dijetari t’i nënshtrohet njerëzve, të cilët janë të dhënë pas kësaj bote!

03 - Fudajl ​​bin ‘Ijad ka thënë: “Sa e shëmtuar është të shkosh tek dijetari, ta kërkosh atë dhe të të thuhet se ai është te emiri apo te gjykatësi. Çfarë ka të bëjë dijetari me emirin apo me gjykatësin?! Dijetari duhet të jetë në xhami dhe të lexojë.”

04 - Esh-Sha’bi ka thënë: “O Nxënës dije! Mos kërko dije me budallallëk e pakujdesi, por kërko dije me rehati, qetësi dhe pa u ngutur.”

05 - Esh-Sha’bi ka thënë: “Kjo dije kërkohet vetëm nga ai person, i cili posedon dy veçori: mençurinë dhe adhurimin. Nëse njeriu ka mençuri dhe nuk jepet pas adhurimit, thonë se kjo dituri arrihet vetëm nga ata që jepen fortë pas adhurimit, dhe si rezultat i kësaj njeriu braktis studimet. E nëse ai është i mirë në adhurim, por nuk është i veçantë në mençuri, thonë se kjo dije arrihet vetëm nga ata që janë të veçantë me mençuri. Dhe si rezultat i kësaj, njeriu largohet nga studimet. Kurse në ditët e sotme, dija po kërkohet nga njerëz që u mungon edhe mençuria e veçantë e edhe adhurimi.”

06 - Sufjan eth-Theuri ka thënë: “Dituria fillon me heshtje, pastaj me dëgjim, pastaj duke mësuar përmendësh, pastaj duke vepruar dhe pastaj duke e përhapur atë.”

07 - Ebu-Derda radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Nuk je dijetar para se të jesh nxënës dije, dhe ju nuk je dijetar për shkak të dijes që posedon, derisa të veprosh me dijen që ke.”

08 - I mençuri nuk kërkon dije për diç tjetër, përveç se të punojë sipas saj. Ai që kërkon dije për motive të tjera, do të bëhet arrogant dhe kryelartë. Përveç kësaj, ai as nuk do të veprojë/punojë. Kjo gjë i dëmton pasuesit e tij më shumë sesa vetë atë.

09 - Malik bin Dinar: “Nëse njeriu kërkon dije për të vepruar sipas saj, dituria e tij do ta bëjë të lumtur. Mirëpo, nëse e bën këtë për qëllime të tjera, ai bëhet arrogant.”

10 - Sufjan eth-Theuri ka thënë: “Dijetari është mjeku i fesë, kurse paraja është helmi e fesë. Kur mjeku helmohet, si mund të presësh që ai t’i shërojë të tjerët?!”

11 - Ibn Mesudi radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Përqendrohuni në dije para se ajo të humbet. Humbja e saj është me vdekjen e dijetarëve. Do të gjeni njerëz që pretendojnë se ata ju thërrasin për në Librin e Allahut, ndërsa ata vetë e lënë atë pas shpine. Asnjë nga ju nuk e di se kur do të ketë nevojë për dijen, ose kur dija do të ketë nevojë për të. Përqendrohuni në dije, largohuni nga bidatet dhe kapuni për fenë e të parëve!”

12 - Ibn Mesudi radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Dituria nuk është në transmetime të shumta, por dituria është ta kesh frikë Allahun.”

13 - Imam Maliku ka thënë: “Dituria nuk është në transmetime të shumta, por dituria është ta kesh frikë ndaj Allahut.”

14 - I mençuri i shmanget çdo gjëje të kësaj bote që mund ta njollosë dijen e tij. Ai duhet të veprojë sipas dijes aq sa mundet, edhe nëse kjo është 5 nga 200 hadithe. Në këtë rast, zekati i dijes është dhënë. Mirëpo, edhe nëse ai nuk mund të punojë me dijen që ka, kjo nuk do të thotë që ai duhet ta braktisë të mësuarit e saj.

15 - Uehb bin Munebih ka thënë: “Kush mëson dije të vërtetë të mbështetur në Sunnet, Allahu kurrë nuk do t’ia marrë mendjen atij.”

16 - El-Mu’temir bin Sulejman ka thënë: “Babai im më shkroi letër kur unë isha në Kufe, në të cilën shkruante: “Bli letra dhe shkruaje dijen, ngase pasuria humbet, ndërsa dituria mbetet.”

17 - Udhëtimi i shumtë, braktisja e familjes dhe vendlindjes (për kohë të gjatë) për hir të dijes, por pa vepruar sipas saj ose për ta mësuar përmendësh, nuk i përket cilësive të të mençurve. Gjëja më e mirë që njeriu mund të bëjë në këtë rast, është që të priret në të mirë, duke e shoqëruar këtë me përkushtim të madh dhe ruajtje nga mëkatet.

18 - El-Uaki’i ka thënë: “Mësimin përmendësh ndihmoje duke u ruajtur nga mëkatet.”

19 - I mençuri nuk lufton për diçka që nuk sjell përfitim në të dy jetët. Nëse ai arrin dituri, ai nuk duhet të jetë koprrac, duke mos ua dhënë të tjerëve atë dije. Mirësia e parë e dijes është mësimdhënia. Unë nuk kam parë askënd, i cili është koprrac në mësimdhënie, veçse nuk kanë përfituar nga dituria e tij. Ashtu siç nuk ka dobi nga uji nën tokë, derisa ai të fillon të rrjedhë, po ashtu nuk ka dobi nga dija përderisa ajo nuk përhapet dhe nuk u jepet/mësohet të tjerëve.

20 - Ebu Derda radijAllahu ‘anhu ka thënë: “Njerëzit duhet të jenë ose dijetarë ose janë duke mësuar. Nuk ka hajr/mirësi në kategoritë e tjera.”



 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free