23.
23. I mençuri dhe zgjedhja e shoqërisë.
01 - I Dërguari i Allahut sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem ka thënë:
الأرواح جنود مجندة فما تعارف منها ائتلف، وما تناكر منها اختلف
“Shpirtrat janë sikurse ushtarë të mobilizuar. Shpirtrat e afërt (të dashur me njëri-tjetrin) qëndrojnë pranë njëri-tjetrit dhe ata të cilët janë të kundërt (me njëri-tjetrin) ndahen/largohen.”
02 - Arsyeja për afërsinë respektivisht ndarjen e njerëzve, është njohja dhe mosnjohja e njëri-tjetrit (gjetja e gjuhës së përbashkët me njëri-tjetrin dhe e kundërta e saj). Kur njerëzit gjejnë gjuhën e përbashkët ata bashkohen, ndërsa kur mes tyre ka diçka që i bën të ndahen, ata qëndrojnë larg njëri-tjetrit.
03 - Muxhahidi ka thënë: “Një herë prej herësh, Ibn Abasi pa një njeri dhe tha: “Ky më do mua!” Të pranishmit i thanë atij: “Si e di këtë?” Ai u përgjigj: “Sepse unë e dua atë dhe “Shpirtrat janë sikurse ushtarë të mobilizuar. Shpirtrat e afërt (të dashur me njëri-tjetrin) qëndrojnë pranë njëri-tjetrit dhe ata të cilët janë të kundërt (me njëri-tjetrin) ndahen/largohen”.”
04 - Katade, në lidhje me fjalët e Allahut:
وَلاَ يَزَالُونَ مُخْتَلِفِينَ إِلاَّ مَن رَّحِمَ رَبُّكَ وَلِذَلِكَ خَلَقَهُمْ
“…por ata vazhdojnë të jenë të përçarë, përveç atyre, që i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë qëllim Ai i krijoi ata.” 11:118-119
ka thënë: “I krijoi për t’i mëshiruar dhe që ata ta adhurojnë Atë. Kur jemi tek ata që i nënshtrohen/adhurojnë Allahun, themi se, zemrat dhe dëshirat e tyre janë të përbashkëta edhe pse ata jetojnë në vende të ndryshme. Ndërsa ata që i bëjnë mëkate Allahut, zemrat e tyre janë të përçara edhe nëse jetojnë në të njëjtin vend!”
05 - Një nga shenjat më të mëdha që na bëjnë ta njohim dikë në çdo lëvizje dhe qëllim të tij, është të merret parasysh se me kë ai flet dhe kë e do. Sepse, njeriu është në fenë e shokut të tij dhe shpendët fluturues i bashkohen vetëm tufave të llojit të tyre!
06 - Hubejrah RahimehUllah ka thënë: “Njihi njerëzit në bazë të shoqërisë së tyre.”
07 - Imam Maliku RahimehUllah ka thënë: “Llojllojshmëria e njerëzve është sikurse llojllojshmëria e shpezëve. Pëllumbi rri me pëllumbin, sorra rri me sorrën, rosa rri me rosën e trumcaku rri me trumcakun! Ashtu ndodh edhe me njeriun; çdo njeri rri me ata të llojit të vet.”
08 - I mençuri shmanget nga shoqërimi me njerëzit që zakonisht janë labil dhe largohet nga shoqërimi i atij i cili nuk është i përkushtuar ndaj fesë. Ngase, ai që shoqërohet me dikë, njerëzit e identifikojnë përmes tij. I mençuri duhet të shoqërohet vetëm me atë i cili është sikurse ai apo që i ngjason atij. Nëse patjetër duhet të shoqërohesh me njerëzit, atëherë zgjidh atë i cili ta zbukuron ndejën, nuk të krijon reputacion negativ, nëse të sheh duke bërë ndonjë vepër të mirë e vlerëson atë, nëse të sheh duke bërë ndonjë vepër të keqe ta fsheh atë para të tjerëve (nuk ta shfaq atë), nëse jeni të heshtur ai fillon bisedën dhe nëse i kërkon diçka ai nuk bëhet koprrac ndaj teje.
Mirëpo, shumica e njerëzve në ditët e sotme, ana e tyre e jashtme është ndryshe me anën e tyre të brendshme!
09 - Ka prej njerëzve që posa t’i shohësh të pëlqejnë, dhe sa më shumë t’i njohësh aq më shumë të pëlqejnë. Ndërsa, në anën tjetër ka njerëz që posa t’i njohësh i urren, dhe sa më shumë t’i njohësh urrejtja për ta gjithnjë shtohet. Në realitet, ndarja mes tyre ka ndodhë shumë më parë, dhe atë për shkak se karakteri i tyre nuk përputhet, ndërsa ndarja e tyre është për shkak se brendia e tyre është e ndarë.
10 - Arsyeja për shfaqjen e pikëllimit kur dy vëllezër ndahen nga njëri-tjetri, është të mos qenit i kënaqur me paracaktimin e Allahut. Ai që bind veten që nga fillimi i vëllazërisë që shoqëria mund të përfundojë keq, nuk do të shfaq pikëllimin dhe dëshpërimin më shumë sesa duhet në rast ndarjeje.